Fondet e Investimit

Home > Fondet e investimit > Abi eia

Fondi i Investimit ABI EIA

Fondi i Investimit ABI EIA është një sipërmarrje investimesh kolektive (SIK) me ofertë të hapur publike dhe i krijuar për një afat të përcaktuar. Fondi i Investimeve ABI EIA është licensuar më 29.12.2020 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe themeluar e menaxhuar nga ABI Invest SH.A.

Fondi synon të ketë një portofol investimesh të përqëndruar kryesisht në tituj borxhi të emetuara ose garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Struktura e portofilit të investimeve të fondit do të jetë si mëposhtë:

  • Nga 10% deri në 20% të aseteve të fondit në ekuivalentë “cash”-i, transaksione të anasjellta të riblerjes dhe depozita bankare me maturitet deri në 12 muaj;
  • Deri në 90% të aseteve të fondit në tituj borxhi qeveritarë të emetuar ose garantuar nga Republika e Shqipërisë;
  • Deri në 30% të aseteve të fondit në tituj borxhi të emetuara nga organet e Qeverisjes Vendore dhe nga shoqëri tregtare vendase, që tregtohen në tregje të rregulluara ose në një bursë titujsh në Republikën e  Shqipërisë;
  • Deri në 10% të aseteve të fondit në fonde investimi me fokus në tituj borxhi të emetuar në monedhën vendase;

Maturiteti mesatar i ponderuar i portofolit të investimeve duhet të jetë më i vogël ose i barabartë me 7.

 

Avantazhet e Fondit të Investimeve:

Vlerë dhe Diversifikim: Fondet e Investimit ofrojnë kthime më të larta se sa produktet tradicionale bankare. Për më tepër, investitori diversifikon dhe rrit vlerën e aseteve të tij duke investuar në fond.

Menaxhim Profesional: Menaxherët e Fondit, përveçse me eksperiencën e tyre, janë gjithashtu të pajisur me burimet e duhura për të analizuar tregun dhe për të kryer investimet e duhura në kohën e duhur.

Likuiditet në Vazhdimësi: Ndryshe nga depozitat bankare, fondi i investimeve i jep investitorëve mundësinë për të shlyer pjesërisht kuota në rastet e nevojave për likuiditet. Në çdo rast tërheqjeje, investitori nuk humbet interes/fitimin e akumuluar ndryshe nga thyerja e depozitës.

Mundësi më e lartë fitimi: Fuqia e mbledhur e investitorëve, mundëson negocimin për një normë preferenciale për asetet, duke i dhënë investitorit fitime më të larta, të cilat nuk do të ishin të mundura për një investitor individual.

Transparencë: Investitorët pajisen me një “username/përdorues” dhe “password/fjalëkalim” me anë të cilave ata mund të hyjnë në llogaritë e tyre në fond dhe të ndjekin në çdo moment ecurinë e investimeve të tyre dhe çmimin e kuotës së fondit. Shoqëria Administruese ABI INVEST SH.A. do të publikojë periodikisht në faqen e saj të internetit “newsletter” dhe të gjitha raportet financiare të nevojshme dhe të domosdoshme për investitorin.

Mundësi e Investimeve në shuma të vogla për fitime më të medha: Krahasuar me produktet standarde bankare si depozitat apo dhe bonot dhe obligacionet qeveritare, fondi nuk paracakton një interes në bazë të shumës së investuar por kthimi realizohet nga përfitueshmëria e instrumentave financiare/titujve në pronësi të fondit.

Hyrje dhe Dalje e thjeshtë: Fondi i Investimeve ABI EIA, nuk i ngarkon investitorëve të saj një tarifë për të hyrë apo për të dalë nga fondi.

Ne rast te shitjes se kuotave nga Fondi, investitori mund te jete subjekt aplikimi te komisionit te transfertes ne dalje nga banka depozitare drejt llogarise se tij personale (ne rastin kur llogaria e investitorit ndodhet ne banke te ndryshme nga ajo depozitare).

Shuma Datëvaluta Komisioni LEK
Deri LEK 1,500,000 Normale                                        300
Deri LEK 1,500,000 Urgjente                                        400
Mbi LEK 1,500,000 Normale                                        800
Mbi LEK 1,500,000 Urgjente                                     1,200

 

Komisionet e mesiperme mund te jene subjekt ndryshimi sipas marrevjeshjeve mes shoqerise administruese dhe bankes depozitare.

 

Të dhëna dhe karakteristika për Fondin e Investimeve ABI EIA:

  • Fondi nuk garanton një normë interesi të përcaktuar.
  • Kuotat e fondit emetohen në Lekë.
  • Shuma minimale e investimit në fond është 100,000 Lekë dhe në vijim mund të shtohet investimi me jo më pak se 10,000 Lekë.
  • Fondi nuk ngarkon tarife hyrëse dhe tarifë dalëse.
  • Tarifa e Administrimit është 1.00% e Vlerës Neto të Aseteve në bazë vjetore.
  • Fondi nuk është një depozitë dhe nuk sigurohet nga ASD.

 

Fondi u lançua më: 1 Shkurt 2021

Periudha e Ofertës Fillestare: Periudha fillestare fillon më 1 Shkurt 2021 dhe përfundon më 28 Shkurt 2021. Gjatë periudhës se ofertës fillestare, çmimi i kuotës është 1000 Lekë dhe mbetet i pandryshuar përgjatë gjithë periudhës së ofertës fillestare.

Periudha e rekomanduar e investimit në fond: Minimumi i rekomanduar i qëndrimit ose investimit në fond është të paktën 2 vjet. Në mënyrë qe investitori të përfitojë nga strategjia e investimit afatmesme dhe të ketë rezultate pozitive dhe kthim nga investimi të kënaqshëm.

Banka Depozitare: Banka Depozitare është Banka Credins SH.A



Profili i Riskut:
Treguesi i riskut dhe përfitimit (SRRI) shprehet me anë të një numri të plotë, i cili përdoret për të renditur fondin në një nivel risku nga 1 në 7. Fondi “ABI EIA” mbart një profil risku të nivelit 3, i cili konsiderohet mesatar/i ulët. Kjo kategori e përbërë përkufizohet kryesisht nga të dhëna historike e tipologjike të bazuara tek volatiliteti i Fondit, e për rrjedhojë, projeksioni i ardhshëm i profilit mund të ndryshojë.

Megjithatë, duke qenë se ecuria e kthimit të Fondit varet nga lëvizja e normave të interesit të Letrave me Vlerë të Qeverisë (të cilat në vetvete kanë luhatshmëri relativisht të ulët), përfshirë këtu edhe impaktin e po këtyre investimeve kryesisht afatgjata, parashikimet për të ardhmen janë gjithsesi për ndryshime të moderuara të profilit të riskut në fjalë.

Gjithsesi, qëndrueshmëria e kategorisë së profilit të riskut nuk garantohet dhe mund të ndryshojë në të ardhmen. Megjithatë duke marrë në konsideratë kategoritë në të cilat Fondi investon, mund të garantohet luhatshmëri e ulët ndërmjet klasave të profilit të riskut.